Intervistë me Z. Altin Gjikaj

  • 1 year më parë
  • 0

“Lançimi i një strategjie omnichannel banking do të jetë parësore, shoqëruar edhe me hapjen ndaj shërbimeve Cloud, përfshirë dhe Core Banking.” – Altin Gjikaj, Drejtor i Departamentit IT, Divizioni Operacional

Çfarë ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje në momentin kur u njoftua regjimi i lëvizjes së kufizuar, gjithmonë nga pikëpamja e sistemeve të informacionit dhe teknologjisë?

Mendimi i parë që më erdhi ishte, se duhet të veprojmë sa më shpejt për t’u adaptuar me situatën e re. Isha i bindur se me eksperiencën dhe njohuritë që zotërojmë, planet e vazhdimësisë që banka ka ndërtuar për situata krize, kombinuar me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe përkushtimin maksimal që dominon tek ekipi i IT, patjetër që do të arrinim të ofronim me të njëjtën cilësi dhe siguri shërbimet e IT për klientët dhe punonjësit e bankës.

A i kishte banka kapacitetet e duhura për të pajisur stafin me mundësinë e punës nga shtëpia?

Banka kishte disa zgjidhje teknike, të testuara me numër të vogël përdoruesish për të ofruar shërbimet e IT jashtë zyrës. Në një kohë rekord, përcaktuam strategjinë për të rritur kapacitetet. Zgjidhjet ekzistuese teknike u pasuruan me funksionalitete të reja, falë punës pa orar të stafit të IT, kompanive konsulente, duke pasur gjithmonë mbështetjen e drejtuesve të bankës dhe kolegëve të tjerë. Bazuar në vendimet e marra nga strukturat përkatëse të bankës, për të plotësuar kërkesat e aksesimit të shërbimeve të IT, në mënyrë të sigurtë nga përdoruesit në largësi, arritëm të kombinonim përdorimin e pajisjeve të bankës në pjesën më të madhe të rasteve me pajisjet personale të cilat plotësonin standardet e sigurisë dhe të operimit normal.

Si do ta konsideronit punën e stafit IT këto javë dhe me këtë regjim të kombinuar të punës?

Kjo situatë vërtetoi edhe një herë se burimet njerëzore janë aseti më i çmuar. Thënë në mënyrë të përmbledhur, ka qenë një punë e shkëlqyer, pa orar dhe me eficiencë maksimale.

Kurioziteti i momentit është: Pasi të kalojë Pandemia, a do të jenë gjërat si më parë? A mund ta shtjellojmë këtë pikë, nga këndvështrimi i një eksperti IT? Si e shihni ju shenjën që do të lërë kjo përvojë e paprecedentë?

Padyshim, shumë gjëra do të ndryshojnë dhe nuk mund të jenë si më parë. Dua të jem pozitiv dhe besoj se ndryshimet do të sjellin zhvillim, pavarësisht se tabloja aktuale duket e zymtë. Mobiliteti do të jetë dominues mendoj. Nga pikëpamja teknologjike, zgjidhjet janë gati për të lejuar aktivitetin në distancë. Siguria do të mbetet si gjithmonë element thelbësor. Investimet për sigurinë e sistemeve të informacionit duhen rritur. Artificial Intelligence (AI) dhe teknologjitë e reja, të cilat janë duke u integruar me cybersecurity, nëpërmjet një analize të shpejtë të një sasie të madhe informacioni, do të identifikojnë risqet dhe aktivizojnë mekanizmat mbrojtës në mënyrë më efektive. Për sektorin bankar, mendoj se lancimi i një strategjie për omnichannel banking do të jetë primare, kjo e shoqëruar edhe me hapjen ndaj shërbimeve Cloud, përfshirë edhe Core Banking.

Bashkojuni Diskutimit

Grupi OTP filloi aktivitetin e tij në vitin 1949 kur OTP Bank u themelua si një bankë kursimi dhe tregtare e shtetit, e cila ofronte depozita me pakicë dhe kredi. OTP është shkurtimi i Országoz Takarék Pénztár në gjuhën hungareze, ose Banka Kombëtare e Kursimeve në shqip.

OTP Group ofron zgjidhje financiare me kualitet të lartë për të përmbushur nevojat e pothuajse 18 milionë klientëve nëpërmjet gati 1,500 degëve, rrjetit të saj të agjentëve dhe kanaleve elektronike më të fundit.

Abonohu në buletinin tonë

Rregjistrohuni për të marrë të rejat më të fundit në lidhje me portofolin e pronave të OTP Bank.

© Copyright 2024